Një shpërthim vdekjeprurës në një spital në Rripin e Gazës të martën vonë, ku po shëroheshin të plagosur dhe po strehoheshin shumë palestinezë, është dënuar ashpër.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se të paktën 500 persona janë vrarë si pasojë e këtij shpërthimi, për të cilin e ka fajësuar Ushtrinë e Izraelit.
Izraeli i ka mohuar akuzat se e ka bombarduar spitalin.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Joseph Borrell, tha të martën vonë se shpërthimi në spitalin Al-Ahli e “shton tmerrin e tragjedisë që po ndodh para syve tanë tash e sa ditë.”
“Përsëri, civilët e pafajshëm po e paguajnë më së shtrenjti. Duhet gjetur qartazi se kush është përgjegjës për këtë krim dhe kryerësit e tij të mbahen përgjegjës”, tha ai.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e dënoi shpërthimin në spitalin në jug të Rripit të Gazës, si dhe kërkoi mbrojtjen e menjëhershme të civilëve dhe kujdesit shëndetësor në enklavën palestineze.
“Ne e dënojmë fuqishëm sulmin ndaj Spitalit Al-Ahli Arab”, tha drejtori i organizatës së OKB-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një reagim në rrjetin social X, i njohur më parë si Twitter.
Emiratet e Bashkuara dhe Rusia kanë kërkuar takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 18 tetor, pas shpërthimit vdekjeprurës në spitalin e qytetit të Gazës.
Mbreti Abdullah i Jordanisë e cilësoi shpërthimin në spital si “masakër” dhe “krim luftë” për të cilin nuk mund të heshtet.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e dënoi shpërthimin, duke e cilësuar si “shembulli më i freskët se sulmeve të Izraelit u mungojnë vlerat më themelore njerëzore.
“E ftoj gjithë njerëzimin të ndërmarrë veprime për ta ndaluar këtë brutalitet të paparë në Gaza”, tha Erdogani në X.