Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të mërkurën se “të dhënat” tregojnë se Izraeli nuk është përgjegjës për një shpërthim që i la qindra të vdekur në një spital në Rripin e Gazës të martën mbrëma.
I pyetur nga gazetarët gjatë vizitës së tij në Tel Aviv të mërkurën se pse ishte i sigurt se Izraeli nuk qëndron pas kësaj, Biden tha: “Të dhënat që departamenti im i mbrojtjes m’i tregoi”.
Biden e nisi të mërkurën vizitën në Izrael në një përpjekje diplomatike që lufta me Hamasin të mos shndërrohet në një konflikt më të gjerë, një sfidë që është bërë më e vështirë pasi zemërimi u rrit në mbarë Lindjen e Mesme lidhur me shpërthimin në spitalin e Qytetit të Gazës.
Paraprakisht gjatë takimit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahun, Biden tha se shpërthimi duket se nuk u shkaktua nga Izraeli.
“Bazuar në atë që kemi parë, duket se [shpërthimi] u krye nga një ekip tjetër, e jo ju”, tha Biden gjatë atij takimi.
Por, presidenti amerikan tha se kishte “shumë njerëz atje” që nuk ishin të sigurt se çfarë e shkaktoi shpërthimin.
Biden tha se SHBA-ja e ka bërë të qartë se qëndron me Izraelin, “por, doja që të vija personalisht ta bëja të qartë këtë”.
Lideri amerikan tha se shteti i tij do të sigurohet që Izraeli të ketë mjetet e duhura për të vazhduar që t’iu përgjigjet sulmeve të militantëve të Hamasit.
“Hamasi nuk përfaqëson popullin palestinez dhe gjithmonë u ka sjellë atyre dhimbje”, tha ai.
Ndërkaq, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, falënderoi SHBA-në për mbështetjen. Po ashtu, ai sërish krahasoi militantët e Hamasit me grupin militant, Shteti Islamik (IS).