Asnjë shtetas malazez nuk u vra apo u plagos në sulmet në Izrael, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ).
Siç thanë ata, deri në mëngjesin e sotëm me MPJ kanë kontaktuar 50 qytetarë, prej të cilëve 37 për momentin kanë shprehur dëshirën për t’u kthyer në Mal të Zi.
“Ekipi i krizës në MPJ po monitoron situatën dhe është në komunikim të vazhdueshëm me Konsullatën në Tel Aviv në krye me Konsullin e Nderit Nimrod Rinota dhe Ambasadën e Serbisë në Izrael, në përputhje me marrëveshjen dypalëshe për përfaqësimin e ndërsjellë dhe ofrimin e mbrojtjes konsullore dhe shërbime në vendet e treta”, thuhet në deklaratë.
MPJ-ja theksoi se për evakuimin e suksesshëm të qytetarëve malazezë në kushtet e sigurisë së rrezikuar në Izrael, është e rëndësishme t’u sigurohen atyre të dhëna të sakta personale dhe vendndodhjen e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur.
Kryeministri në mandatin teknik Dritan Abazoviq tha se avioni i linjës ajrore kombëtare “Air Montenegro” është gati të fluturojë në Tel Aviv dhe të evakuojë qytetarët malazezë të cilët u gjendën në Izrael dhe shprehën dëshirën për t’u larguar nga ai vend, ku dje u shpall zyrtarisht gjendja e luftës pas sulmeve të papritura të grupit paramilitar islamik Hamas në jug të Izraelit, të cilat filluan të shtunën.