DUKAJ: KOMISIONI I VENEDIKUT MBËSHTET KONCEPTIN DHE STRUKTUREN E PROJEKTLIGJIT MBI QEVERINË

Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj tha se Komisioni i Venedikut është i mendimit se dispozitat e Projektligjit nuk bien ndesh me thelbin e Kushtetutës dhe se nuk janë të papajtueshme me standardet ndërkombëtare dhe kjo është ajo që është vendimtare në këtë proces.

„Sapo ka përfunduar seanca e Komisionit të Venedikut, ku kam pasur privilegjin të marr pjesë në shkëmbimin e mendimeve për tekstin e Projektligjit mbi Qeverinë, i cili është hartuar, me konsultime të gjera, nga Ministria e Administratës Publike. Miratimi i Ligjit mbi Qeverinë është paraparë në Programin Afatmesëm të Punës së Qeverisë së Malit të Zi për periudhën 2022-2024 si dhe në Strategjinë për Reformën e Administratës Publike. Siç thashë edhe pas takimit online me ekspertët e Komisionit të Venedikut, u mbështet koncepti dhe struktura e Projektligjit mbi Qeverinë,“ theksoi Dukaj. 

Ministri shtoi se sugjerimet dhe komentet e bëra nga Komisioni i Venedikut për përmirësimin e dispozitave ligjore janë më se të mirëseardhura dhe në vetvete janë qëllimi kryesor pse ky Projektligj është dërguar për mendim në një organ ekspert si Komisioni i Venedikut. Ato mund dhe duhet të miratohen pa pritje dhe vonesa të panevojshme.

„Komisioni i Venedikut është i mendimit se Qeveria në mandatin e saj teknik duhet të përmbahet nga ndërmarrja e nismave të reja politike dhe propozimi i ligjeve të reja pasi të ketë humbur mbështetjen e Kuvendit. Komisioni i Venediku falënderoi Ministrinë e Administratës Publike që i ka kontaktuar, duke i përfshirë dhe ka kërkuar mendimin e tyre për Projektligjin. Konkluzioni është se Mali i Zi ka nevojë për Ligjin mbi Qeverinë sa më shpejt që të jetë e mundur, pavarësisht nga situata aktuale komplekse politike. Jam i bindur se shumë sfida nëpër të cilat po kalon shoqëria malazeze, sidomos gjatë mandatit të gjatë teknik të Qeverisë, nuk do të ekzistonin sikur ta kishim tashmë këtë ligj. Kjo është e arritshme dhe ky është edhe vlerësimi ynë kryesor pas takimeve me Komisionin e Venedikut,“ thotë Dukaj.

SHARE