Duke punuar në transformimin digjital, ne po punojmë për evropianizimin e rajonit tonë, tha Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, në hapjen ceremoniale të Samitit të Gjashtë Digjital të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë.
“Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor nisi realisht një fazë të re cilësore të bashkëpunimit rajonal në fushën e digjitalizimit. Ai bashkoi parimet e bashkëpunimit, gjithëpërfshirjes dhe vendosjes së rezultateve për t’u arritur midis qeverive të gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe partnerëve rajonalë e ndërkombëtarë, duke u mbështetur në kontributin e rëndësishëm të dhënë nga vetë sektori,” tha Bregu.
“Roli ynë për të bashkuar të gjithë aktorët pa përjashtim, si dhe ekspertiza dhe kapaciteti për të lehtësuar procesin do të vazhdojë të jetë mbështetja kryesore në rrugën sfiduese të digjitalizimit që ka përpara”, theksoi Bregu.
Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal deklaroi se pjesëmarrësit e samitit përshëndetën uljen e çmimeve të roaming-ut ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor dhe vlerësuan rolin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal në atë proces.