SERBIA ARRESTON RADOIÇIQIN, 48 ORË PARABURGIM: ENDE PA KËRKESË EKSTRADIMI

Ministria e brendshme serbe njoftoi arrestimin e Millan Radojiçiqit, ish numri dy i Listës Serbe, i cili mori përgjegjësinë e sulmit të Banjskës ndaj Policisë së Kosovës.

Në deklaratë, sqarohet se forcat serbe të rendit kanë urdhëruar ta ndalojnë atë për 48 orë. Tashmë, Radoiçiqi, sipas ministrisë, është dërguar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me një kallëzim penal.

Në 30 shtator, ai i ishte përgjigjur edhe një thirrje të Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe bashkë me avokatin e tij ishte parë duke hyrë në ambientet e saj.

Hetime paralele kishin nisur ndaj tij si Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës që është aktualisht në procesin e mbledhjes së informatave dhe dëshmive në lidhje me këtë rast, ashtu dhe ajo serbe, por nuk ishte e qartë ndërkohë nëse dy institucionet do të bashkëpunjnë me njëra-tjetrën.

Zëdhënësi i BE-së, Petër Stano deklaroi një ditë më parë se Kosova ka mandatin të hetojë sulmin e 24 shtatorit dhe se Serbia ka detyrimin të bashkëpunojë me të, pa kushte.

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, u shpreh më herët se deri më tani prokuroria që merret me rastin e sulmit në Banjksë, nuk ka bërë ndonjë kërkesë për ekstradimin e Radoiçicit dhe të tjerëve nga Serbia në Kosovë.

Në momentin që do të kemi kërkesa për çështje ndërkombëtare apo për çfarëdo bashkëpunimi tjetër, sigurisht që do t’i paraqesim tek institucionet përgjegjëse, tha ajo.

SHARE