Policia i ka ndaluar të paktën 67 persona të martën në Turqi, teksa e kryen një aksion për t’i shënjestruar personat e lidhur me militantët kurdë.
Aksioni është duke u kryer disa ditë pas një sulmi vetëvrasës në Ankara.
Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya, ka thënë se policia ka kryer bastisje në 16 provinca turke, duke i arrestuar 55 persona që dyshohet se kanë qenë pjesë e një “strukture të inteligjencës” të Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK).
Të paktën 12 të dyshuar tjerë si pjesëtarë të PKK-së janë arrestuar në një operacion të ndarë në pesë provinca, ka thënë Yerlikaya në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
PKK-ja ka kryer kryengritje disadekadëshe në Turqi dhe konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.