HYN NË FUQI DEKLARATA PËR ROAMING MES BE-së DHE BALLKANIT PERËNDIMOR

Deklarata për Roaming midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Ballkani Perëndimor, e nënshkruar në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë më 6 dhjetor të vitit 2022, ka hyrë zyrtarisht në fuqi.

Në një njoftim për media nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) thuhet se pas gati një viti pune të përbashkët intensive me Komisionin Evropian dhe mbështetjen politike të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, operatorët e telekomunikacionit të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, jo vetëm kanë plotësuar kërkesat e deklaratës, por në shumë raste i kanë tejkaluar pritjet.

Duke nisur nga ky tetor, kufiri i çmimit për 1 GB roaming i të dhënave në kuadër të ofertave dhe paketave speciale, në përputhje me Deklaratën e Roaming, nuk duhet t’i kalojë 18 euro, duke e bërë kështu udhëtimin dhe komunikimin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dukshëm më ekonomik.

“Suksesi i Deklaratës për Roaming BE-Ballkani Perëndimor është dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit rajonal, për ta transformuar, për ta bërë më të lehtë e më të mirë komunikimin mes vendeve, duke përballuar jo pak herë edhe sfida shumë komplekse”, tha sekretarja e përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu.

SHARE