Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka konstatuar se kryetarët e komunave të Tuzit, Tivarit dhe Kollashinit nuk kanë shkelur dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit, të cilat i referohen kufizimeve në ushtrimin e funksioneve publike.
Sipas APK-së, Nik Gjeloshaj, Vlladimir Martinoviq dhe Dushan Raiçeviq nuk janë në konflikt interesi, sepse zgjedhja e tyre në pozitat e kryetarëve të komunave është bërë para zgjedhjeve parlamentare në të cilat ata kanë marrë mandatin deputet.
Në këtë mënyrë ata mund të kryejnë pa pengesa detyrat e tyre parlamentare.
Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj tha se më herët kishte theksuar se në bazë të ligjit dhe Kushtetutës, deputet mund të jetë edhe kryetari i komunës.
Ai pohoi se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit nuk ka bazë ligjore për të nisur procedurën dhe se nuk është shkelur ligji.
“Shqetësimi i disa OJQ-ve dhe mediave për këtë çështje tregoi një mosnjohje të madhe të rregulloreve bazë që ata mbrojnë, por kjo është pyetje dhe përgjegjësi për ta. Prandaj, APK-ja nuk po kryen procedurë kundërvajtëse ndaj meje, sepse nuk ka asnjë bazë për këtë”, ka thënë Gjeloshaj.
Të rikujtojmë se APK-ja ka iniciuar procedurë kundër kryeministrit Dritan Abazoviq dhe tetë zyrtarëve publikë nën dyshimin se kanë shkelur Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit, i cili i referohet kufizimeve në ushtrimin e funksioneve publike.