Qeveria ka reaguar ndaj çmimeve të karburanteve duke i ngrirë, por nëse do të jetë e nevojshme do të ndërhyjë për uljen e çmimeve ekzistuese, tha kryeministri Dritan Abazoviq.
“Mendoj se po bëjmë një politikë ekonomike shumë të përgjegjshme dhe se çdo gjë që ka të bëjë me nevojat e qytetarëve po shkon pa të meta. Për këtë arsye tani për tani e kemi masën e ngrirjes, por nëse vërtet është e nevojshme, jemi këtu që të intervenojmë në drejtim të uljes së çmimeve ekzistuese”, tha Abazoviq pas seancës në Gjykatën Themelore në Ulqin.
I pyetur se pse nuk përdorin bazën ligjore për të ulur çmimin e karburanteve, ai u përgjigj se Mali i Zi duhet të gjenerojë të ardhura në mënyrë që të mund të shërbejë gjithçka që është pjesë e buxhetit.
“Kjo qeveri ishte e para që ia doli pas shumë vitesh e dekadash të futej në një situatë ku shpenzon aq sa fiton. Ne nuk duam ta prishim këtë, sepse kjo do të thotë se duhet të shkojmë drejt borxheve të reja dhe se atë që do ta humbim nga akciza duhet ta kompensojmë nga disa burime të tjera”, tha Abazoviq.
Ai tha se kur bëhet fjalë për karburantin, tregu ndërkombëtar dikton çmimin.
“Marrëveshja është që qeveria do t’i përgjigjet çdo rritjeje të mëvonshme të çmimit duke ulur akcizën, që do të thotë se ne do të mbajmë çmimet e karburanteve në nivelin që janë tani. Nëse do të ketë ulje, atëherë do të ishte mbështetje sepse do të thoshte se kemi çmime më të mira se tani”, tha Abazoviq.