BE-ja ZGJAT PËR NJË VIT QËNDRIMIN E UKRAINASVE NË BLLOK

Bashkimi Evropian ka zgjatur për një vit të drejtën e refugjatëve nga Ukraina që të qëndrojnë në bllok. Sipas vendimit, refugjatët ukrainas, që kanë ikur nga shteti si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës, do të mund të qëndrojnë në BE deri në mars të vitit 2025.

BE-ja mori vendim për mbrojtje të përkohshme të refugjatëve ukrainas disa ditë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ky vendim mundësoi që miliona ukrainas që ikën nga shteti të mund të qëndronin në BE.

“BE-ja do të mbështesë popullin ukrainas për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha ministri i Brendshëm i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska, shteti i të cilit ka kryesimin e presidencës së bllokut evropian.

“Vazhdimi i statusit të mbrojtur ofron siguri për më shumë se 4 milionë refugjatë që kanë gjet strehë në BE”.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës edhe pas 19 muajsh nuk ka shfaqur shenja se është drejt fundit, teksa Moska po vazhdon të kryejë sulme ndaj infrastrukturës civile në mbarë Ukrainën.

Vendimi i BE-së, përveç qëndrimit në bllok, u mundëson ukrainasve që të kenë qasje në vende të punës, kujdes shëndetësor dhe edukim.

SHARE