RAMA: PËR TË PARANDALUAR KONFLIKTIN, KFOR-I DUHET TË MARRË NË KONTROLL VERIUN E KOSOVËS

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për mediat ka folur në lidhje me zhvillimet dhe situatën e fundit në veri të Kosovës dhe për qëndrimin e Shqipërisë mbi një deklaratë të Bashkimit Evropian (BE) rreth dialogut Kosovë-Serbi, duke theksuar se për të parandaluar konfliktin KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës.

Rreth qëndrimit të Shqipërisë në lidhje me një deklaratë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, qëndrim që nuk është në linjë me BE-në, Rama tha se ky qëndrim nuk është pritur mirë nga Brukseli.

“Ne jemi përgjigjur se nuk kemi asnjë rezervë për deklaratën në vetvete, lidhur me kritikat dhe kërkesat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat sipas nesh, qëndrojnë plotësisht dhe Kosova duhet t’i reflektojë në pozicionin e saj në dialogun e normalizimit, por njëkohësisht kemi theksuar domosdoshmërinë, sipas nesh, që publikimi i kësaj deklarate duhet të bëhej njëkohësisht apo të paktën të pasohej, pa humbur kohë, nga një deklaratë e dytë mbi zhvillimet e pa tolerueshme. Çfarë kërkojmë prapë sot, nuk është rezultat i një hetimi që është i mirëseardhur padyshim, por është dënimi pa ekuivok i vrasjes së një efektivi të Policisë në veriun e Kosovës nga një grup kriminal dhe gjithashtu, dënimi i aktit absurd të nderimit kombëtar në Serbi të disa kriminelëve të veshur me uniforma ushtarake”, tha Rama.

Ai tha se janë përpjekur që deklarata e BE-së të reflektonte edhe zhvillimet e ditëve të fundit, konkretisht vrasjen e efektivit të Policisë së Kosovës, si dhe shpalljen e zisë kombëtare në Serbi.

Duke iu referuar ngjarjes së vrasjes së policit të Kosovës më 24 shtator dhe tensioneve, Rama tha se “fatkeqësisht në vend të hetimit të ngjarjes kriminale, të provokuar nga grupi kriminal serb dhe jo nga Policia e Kosovës, Serbia zgjodhi nderimin për të vrarët nga Forcat Speciale të Kosovës duke shpallur një ditë zie kombëtare”.

Rama shtoi se një draft i asociacionit të komunave me shumicë serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës duhet të vihet në tryeze një orë e më parë dhe sipas tij plani franko-gjerman është akoma në tryezë.

“Ka rëndësi vetëm një gjë; drafti të përmbushë kërkesën legjitime që ka procesi i dialogut, bazuar mbi një marrëveshje të nënshkruar mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë”, tha Rama.

“Për të parandaluar në çdo mënyrë dhe me çdo mjet këtë konflikt, që sot duket më i mundshëm se asnjëherë më parë se deri dje, KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë më parë, e kam bërë dhe në Samitin e NATO-s dhe e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse. Tani, çdo hezitim dhe çdo vonesë, deri dhe në argumentin e orëve të fundit, jo kemi, jo s’kemi mjaftueshëm trupa mund ta bëjë largqoftë, ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it shumë më të madhe në trupa, por edhe në vështirësi. Prandaj jam këtu sot dhe më vjen mirë që këtë tanimë e kërkon dhe Kosova, KFOR-in në veri”, shtoi Rama.

Rama u shpreh se procesi i normalizimit Kosovë-Serbi dhe i ndërtimit të marrëdhënieve me Serbinë është strategjik për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

SHARE