SPAJIQ: KA ENDE KOHË PËR FORMIMIN E QEVERISË, NUK KA PRESION NGA AMBASADORËT E HUAJ

Mandatari Millojko Spajiq vlerësoi se ka ende shumë kohë për formimin e qeverisë së re dhe shtoi se synimi i tij është që ajo të marrë mbështetjen e 44 deputetëve në Kuvend.

Pas bisedës me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), ai tha se në takim është diskutuar për situatën aktuale politike.

“Ne morëm një mesazh të fortë optimizmi se Mali i Zi ka një shans të madh, nëse formon një qeveri dhe institucionet qëndrojnë në këmbët e tyre, të jetë anëtari i ardhshëm i BE-së,” u tha Spajiq gazetarëve.

I pyetur se çfarë u tha në takim, nëse ka mbështetjen e 41 deputetëve apo jo, Spajiq është përgjigjur se janë në proces, ka edhe shumë kohë, rreth 50 ditë dhe se është duke biseduar intensivisht me të gjithë partnerët.

“Ne jemi duke biseduar intensivisht me partitë, 44 deputetë të të cilëve më kanë përkrahur për mandatar”, tha Spajiq.

I pyetur nëse ka pasur presion nga ambasadorët e huaj për formimin e qeverisë, ai u përgjigj se nuk ka pasur.

“Nuk ka presion, këto janë vende partnere, që duan të ndihmojnë, që janë të hapur ndaj nesh. Kemi një bisedë dhe komunikim intensiv. Ata janë shumë të interesuar për Malin e Zi sepse Mali i Zi është lider në integrim, mund të jetë shembull për të gjithë, por ne sillemi në mënyrë joserioze në skenën politike se edhe ata janë të shqetësuar”, tha Spajiq.

SHARE