Ka qenë një tjetër natë makthi ajo e kaluara, për zonën e Evrosit në Greqi, pasi zjarri në pyllin e Dadias vazhdon të përhapet.
Evros vazhdon të digjet për të 14-ën ditë radhazi, ndërsa pasditen e së enjtes autoritetet paralajmëruan të qëndrojnë në gatishmëri për shkak të zjarrit të vazhdueshëm në pyje.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve, 582 zjarrfikës me 129 automjete dhe 16 njësi janë të angazhuar në luftë me flakët, kryesisht mes zonave të Souflit, Kornofolias, Dadias, Kotronias, Sidiros dhe Giannoulit, ndërsa 10 avionë zjarrfikës dhe shtatë helikopterë operuan nga ajri gjatë ditës.
Ndërkohë në të gjithë territorin janë duke u shuar 68 zjarre, ndërsa në 24 orët e fundit janë raportuar 32 zjarre të reja në pyje, shumica e të cilave janë shuar menjëherë, në fazën fillestare, siç njoftojnë zjarrfikësit.
Nisur nga situata e vështirë në terren forcat Greqia ka kërkuar ndihmë nga vendet e tjera evropiane. Gjermania, Suedia, Kroacia dhe Qiproja kanë dërguar avionë, ndërsa dhjetëra zjarrfikës rumunë, francezë, çekë, bullgarë, shqiptarë, sllovakë dhe serbë po ndihmojnë autoritetet greke.