RRITET NË 106 NUMRI I VIKTIMAVE NGA ZJARRET NË HAWAII

Është rritur në 106 numri i personave që kanë humbur jetën nga zjarret pyjore në Hawaii të SHBA-së.

Zyrtarët e administratës rajonale në Maui kanë bërë të ditur se kanë përfunduar punimet e kërkimit në 32 për qind të zonës së prekur nga zjarret dhe kanë ndarë detaje për opinionin publik lidhur me personat që kanë humbur jetën.

Zyrtarët kanë konfirmuar se është rritur në 106 numri i personave që kanë humbur jetën për shkak të zjarreve pyjore që vazhdojnë në Ishullin e Madh (Big Island) dhe ishullin Maui, ku është djegur edhe qyteza historike Lahaina. Po ashtu zyrtarët informuan se kanë filluar punimet për identifikim në Maui.

Ata gjithashtu informuan se krahas Robert Dyckman dhe Buddy Jantoc, banorë të Lahaina, kanë identifikuar edhe tre persona të tjerë që kanë humbur jetën.

Jonathan Greene nga Departamenti amerikan i Shëndetësisë, deklaroi se për identifikimin e personave që kanë humbur jetën në zjarre, krahas një ekipi të përbërë nga mjekë ligjorë, patologë dhe teknikë, në rajon janë dërguar edhe njësi ekzaminimi, njësi të radiografisë si dhe pajisje të tjera.

Pasi bëri të ditur se identifikimi do të zgjasë shumë për shkak se kanë humbur jetën shumë persona dhe se në këtë çështje duhet të jenë të durueshëm, Greene u shpreh: “Kjo do të jetë një detyrë shumë, shumë e vështirë”.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, vuri në dukje se zjarret në Hawaii, janë “zjarret pyjore më vdekjeprurëse prej më shumë se një shekulli” dhe se në kohën më të shpejtë më të mundshme do të vizitojë rajonin.

Biden njoftoi se ndaj njerëzve që janë zhvendosur për shkak të zjarreve do të paguhen 700 dollarë për familje për një herë të vetme dhe më tej ai foli për punimet e kryera nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) për të prekurit.

SHARE