Vendet anëtare të Bashkimit Evropian votuan më 1 qershor për ta ratifikuar Konventën e Këshillit të Evropës, një muaj pasi Parlamenti Evropian e miratoi vendimin për t’iu bashkuar Konventës së Stambollit për ta luftuar dhunën ndaj grave.
Konventa e Stambollit, e hartuar nga Këshilli i Evropës, është instrument ligjor gjithëpërfshirës që synon mbrojtjen e grave nga të gjitha format e dhunës, duke përfshirë dhunën në familje.
Duke iu bashkuar kësaj Konvente, BE-ja si dhe vendet anëtare i bashkohen “zero tolerancës” ndaj dhunës së ushtruar ndaj grave.
“Evropa është në anën e grave, për t’i mbrojtur nga dhuna. Të gjitha gratë dhe vajzat meritojnë një jetë pa dhunë, është koha për drejtësi dhe barazi”- tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke shtuar se: “Sot, Bashkimi Evropian po dërgon një sinjal të fortë: ne jemi të vendosur të parandalojmë, dënojmë dhe luftojmë dhunën ndaj grave dhe vajzave në të gjitha format e saj.”