Pas disa muajsh ngërçi dhe kundërshtimesh, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi projekt-ligjin për rritjen e tavanit të borxhit federal me mbështetjen si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët.
Dhoma e kontrolluar nga republikanët votoi 314-117 për të çuar legjislacionin në Senat nga ku më pas të firmoset nga Presidenti Joe Biden para së hënës.
Biden pas votimit tha se marrëveshja është një lajm i mirë për popullin amerikan dhe i kërkoi Senatit ta miratonte sa më shpejt që të ishte e mundur në mënyrë që ai ta nënshkruante atë në ligj.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer paralajmëroi se ai dhe Mitch McConnell, udhëheqësi i pakicës republikane shpresonin të miratonin legjislacionin përpara fundjavës.
Kompromisi i arritur si fillim mes kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy dhe presidentit amerikan tërhoqi kundërshtimin nga 71 republikanë të linjës së ashpër, por 165 demokratë dhe më shumë se 149 republikanët e mbështetën marrëveshjen.
Ligji përfshin heqjen e kufirit ekzistues të huamarrjes deri në janar të vitit 2025 dhe një marrëveshje buxhetore dyvjeçare, që i mban shpenzimet federale të pandryshuara në vitin 2024 dhe i rrit ato me 1% në vitin 2025.
Legjislacioni do të përshpejtonte edhe procesin e lejeve për projekte të caktuara energjetike, do të kthente fondet e papërdorura të COVID-19 dhe do të zgjeronte programet për shtresën e varfër.
Sekretarja e Thesarit Janet Yellen paralajmëroi javën e kaluar se Kongresi duhet të rrisë kufirin e borxhit deri më 5 qershor, ose do të përballet me një falimentim. Një mospagim mund të dëmtonte seriozisht besimin e biznesit dhe të konsumatorëve.