LIGJVËNËSIT AMERIKANË MBËSHTESIN KRIJIMIN E NJË TRIBUNALI PËR KRIMET RUSISË

Ligjvënësit në SHBA kanë shprehur mbështetje për krijimin e një tribunali ndërkombëtar të ndarë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) për të gjykuar krimet e agresionit që kanë ndodhur gjatë luftës në Ukrainë.

Si presidenti francez Macron, ashtu edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky së fundmi kanë bërë thirrje për krijimin e një tribunali të tillë të pavarur ndërkombëtar.

Senatorët amerikanë dhe diplomatja e lartë amerikane për drejtësinë penale globale, Beth Van Schaack, diskutuan përpjekjet aktuale të SHBA për ta bërë gjykatën realitet në mënyrë që Rusia të mbahet përgjegjëse për krimet dhe agresionin ndaj Ukrainës.

Ky diskutim u mbajt gjatë një seance dëgjimore të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, më 31 maj.

Gjykata eventuale, do të merrej me krimet e agresionit dhe jo krimet kundër njerëzimit që aktualisht ndiqen penalisht nga ICC.

Van Schaack theksoi ndikimin e madh që do të kishte kjo gjykatë, duke deklaruar se këto përpjekje do të çonin në “gjyqin më të rëndësishëm në histori që nga Nuremburgu”, një referencë për gjyqet e krimeve të luftës të mbajtura pas Luftës së Dytë Botërore, që rezultoi me dënime për shumë kriminelë nazistë të luftës.

Van Schaack detajoi gjithashtu implikimet ndërkombëtare, duke thënë se një gjykatë ndërkombëtare për krimet e agresionit ka të ngjarë të implikojë Bjellorusinë për ndihmën në aktet e agresionit rus.

Për më tepër, duke i parë në mënyrë specifike krimet e agresionit, diplomatja tha se gjykata mund të ndjekë penalisht agresionin rus që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë në vitin 2014.

Departamenti amerikan i Shtetit shpreson gjithashtu se krijimi i një gjykate kundër agresionit do të dërgonte një mesazh ndërkombëtar kundër “shkeljeve të ngjashme flagrante të sovranitetit shtetëror”, tha Van Schaack.

Për shkak se propozimi aktual bazohet në gjykatat ukrainase, komiteti ra dakord se do të duhej të kishte një mbikëqyrje të konsiderueshme dhe asistencë kapacitetesh nga partnerët ndërkombëtarë.

Të gjithë anëtarët e komitetit pohuan përkushtimin e tyre ndaj llogaridhënies ruse, me një senator që tha se “mosndëshkimi nuk është një opsion”.

SHARE