Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se shpreson që Gjykata Kushtetuese së shpejti do të marrë një vendim bazuar në iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ndryshimeve potencialisht të diskutueshme të Ligjit për Presidentin.
Ai tha se për funksionimin e rendit institucional-juridik, rëndësi vendimtare është ekzistimi i kompetencave të padiskutueshme të presidentit.
“Pres që të gjitha dyshimet në këtë kuptim të hiqen, që në ditën e parë të mandatit tim të kryej funksionin e Presidentit në kapacitet të plotë, në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin e mbi 220 mijë qytetarëve që më dhanë besimin e tyre në zgjedhje”, ka shkruar Millatoviq në Twitter.
Të rikujtojmë se iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Presidentin e ka dorëzuar këshilltari për sistemin kushtetues dhe çështjet juridike në shërbim të presidentit të Malit të Zi, Boris Bastijançiq dhe shoqata joqeveritare Qendra për Tranzicion Demokratik.