Drejtoresha e EUROPOL-it, Katrin de Bol, vlerësoi përpjekjet e autoriteteve kompetente malazeze, të cilat çuan në përfundimin e suksesshëm të aksionit brenda policisë.
Kështu thuhet në përgjigjen e letrës falënderuese të kryeministrit të Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
De Bol deklaroi se aksioni i zbatuar së fundmi për pastrimin e radhëve të policisë, si dhe veprimet e tjera të fundit të bazuara në inteligjencën e siguruar nga Europol, tregojnë vendosmërinë e autoriteteve kompetente malazeze për të hetuar të gjitha gjurmët e disponueshme në luftën kundër rrjeteve kriminale me rrezik të lartë.
“Në këtë drejtim, Qendra jonë Evropiane për Luftën kundër Krimit të Rëndë dhe të Organizuar (ESOCC) do të ftojë të gjitha autoritetet kompetente të përfshira nga Mali i Zi, përfshirë kryeprokurorin special dhe njësinë speciale të policisë, që të dorëzojnë një raport për këtë veprim. Kjo do të jetë thelbësore për të përcaktuar hetimet e tyre prioritare të radhës dhe për të hetuar lidhjet e mundshme me raste të tjera brenda dhe jashtë BE-së”, theksoi De Bol.
De Bol në letrën e saj tha se dëshiron të shprehë mbështetjen e plotë të Europolit për aktivitetet e autoriteteve malazeze në luftën kundër të gjitha formave të krimit të rëndë dhe të organizuar ndërkufitar.
Ata llogariten, siç përfundoi ajo, në ndarjen e mëtejshme proaktive të informacionit për rastet në vazhdim dhe personat e dyshimtë me interes.