Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Kreshnik Radoniqi, i ftoi qytetarët në veri të Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
“Në këtë mënyrë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe t’i ndërtojnë institucionet legale demokratike”, tha Radoniqi gjatë një vizite në qendrën e votimit në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut.
Në këtë vendvotim, sipas tij, deri më tash kanë votuar rreth 60 persona.
“Procesi është duke shkuar mirë dhe nuk ka ndonjë problem”, tha Radoniqi.
Zgjedhjet e parakohshme lokale janë duke u mbajtur në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Pjesëmarrja, megjithatë, pritet të jetë e ulët, pas thirrjeve të partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – Lista Serbe – për bojkotimin e procesit.
Kjo parti ka kërkuar fillimisht formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë – për të cilën gjë Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar dhjetë vjet më parë – dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i vendit.
Në qëndrimin e saj, ajo ka pasur mbështetjen e Beogradit.
Komunat në veri kanë mbetur pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.