ABAZOVIQ: BRGJANIN DUHET TË JAPË DORËHEQJE

Ministri i Brendshëm Filip Axhiq do të ketë dorë të lirë për të bërë gjithçka sipas ligjit në përputhje me rregulloret dhe nuk do të ketë kufizime ndaj askujt për ta zgjidhur problemin, deklaroi kryeministri Dritan Abazoviq pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Ai ka thënë se i ka thënë drejtorit të Drejtorisë së Policisë Zoran Brgjanin që të japë dorëheqje. Siç tha ai, Axhiq do të ketë një detyrë shumë të vështirë për t’i larguar të gjithë ata persona që janë të lidhur me krimin, sepse, siç thekson ai, për shumë ka dyshime, por nuk ka dëshmi se ata janë të përfshirë në aktivitete kriminale.

“Ne jemi të interesuar vetëm për një gjë, ta çlirojmë Malin e Zi nga kthetrat e krimit të organizuar”, thotë Abazoviq.

Ai thotë se drejtori i policisë Zoran Brgjanin mban një përgjegjësi të madhe për gjithçka që po ndodh.

“Ne kemi bashkëpunim korrekt, por ai duhej të ishte i vetëdijshëm se kush çfarë bën brenda sistemit”, tha Abazoviq. Ai shpreson se do të kenë sukses t’u bëjnë ballë organizatave kriminale.

“Për dy vite e gjysmë hoqëm nga sistemi të gjithë ata që kanë lidhje me krimin dhe ka rezultuar se sa njerëz nga policia janë të lidhur me strukturat kriminale, Qeveria i ka të gjitha mekanizmat për t’u përballur me këto probleme, por askush nuk do të shantazhojë Qeverinë”, tha kryeministri Abazoviq.

SHARE