Mali i Zi dhe Serbia, meritojnë të jenë anëtare të Bashkimit Evropian, shumë më përpara se në vitin 2025, vlerësoi ministri i Jashtëm hungarez Peter Sijarto dhe i bëri thirrje BE-së, të shpejtojë procedurat e pranimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sijarto, duke folur në një takim jozyrtar të ministrave të jashtëm të BE-së, në Bukuresht, deklaroi se është i pakënaqur me ritmin e procesit të zgjerimit të BE-së, raporton Tanjug.
Ai mendon se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të integrohen shumë më shpejt në BE sesa është ritmi aktualisht.
Ai theksoi se ka kërkuar nga Komisioni Evropian, që të shpjegojë se pse procesi i pranimit zgjat kaq shumë kohë dhe vlerësoi se procedurat e pranimit duhet të përshpejtohen.
Sipas Sijarto, kjo ka të bëj me çështjen e sigurisë dhe interesit ekonomik të BE-së.
“Për fat të keq, vendet e Evropës Perëndimore dhe Komisioni Evropian, nuk e kuptojnë këtë në mënyrë të drejtë.
Ne nga vendet e Evropës Qendrore, rumunët, hungarezët dhe polakët, të cilët jetojnë në vende fqinje, e kuptojnë këtë shumë më mirë. Me siguri është në pyetje gjeografia”, përfundoi Sijarto.