Çdo vit festohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit, që na përkujton ditën kur më 7 mars 1887, u hap në Korçë, nën drejtimin e Pandeli Sotirit, Mësonjëtorja kombëtare shqipe.
Ajo ishte shkollë me karakter kombëtar e laik (jo fetar) ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe.
Festa e mësuesit në rrafshin kombëtar shërben për t’i vlerësuar traditat më të mira të shkollës shqipe, pa dyshim edhe figurën e nderuar të mësuesit, por edhe gjithë punonjëseve të arsimit si edukatorë të brezit të ri dhe si kontribuues aktiv të zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare.
Në urimin e tij në “Facebook” ministri i Administratës Publike në Qeverinë e Malit të Zi, Marash Dukaj shkruan: “Me mirënjohje dhe respekt të pamasë për kontributin tuaj në edukimin dhe arsimimin e brezave të mëparshëm dhe të ardhshëm, ju përgëzoj me rastin e festës suaj – Ditës së Mësuesit. Dija dhe dashuria juaj, të cilën me zemërgjerësi dhe përkushtim i ndani me fëmijët, qofshin gjithmonë të respektuara dhe të njohura në shoqëri.”
Kryetari i Komunës së Ulqinit Omer Bajraktari nëpëmes një shkrimi në faqen e vet në rrjetet sociale ka uruar të gjithë mësuesit rastin e festës së 7 marsit.
”Në këtë ditë të shënuar, gjej rast tju uroj gëzuar festën. Mirenjohje dhe respekt për punën dhe misionin tuaj fisnik në edukimin e brezit të ri. Vepra juaj fisnike ngjall dashuri për dije dhe mbjell dritë. Urime dhe mirënjohje për mesuesit e vjetër të cilët edhe në pension gëzojnë rrespektin tonë të merituar. Homazh i shprehim mësuesve që nuk janë sot midis nesh. Puna e tyre do të kujtohet përherë me respekt. Urime dhe gëzuar!”, kështu thuhet në urimin e kryetarit të Komunës së Ulqinit z. Omer Bajraktari. 7 marsi në Tuz u shënua nga Qendra për Kultur “Malësia” me garat në recitim.