Mali i Zi ka një potencial të madh dhe një shans për të ecur në rrugën e tranzicionit të gjelbër dhe dekarbonizimit, pra braktisjen graduale të qymyrit si burim për prodhimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes.
Investimet dhe mobilizimi i kapitalit shtetëror dhe privat që do të krijojë mbështetje infrastrukturore për zhvillimin e mëtejshëm socio-ekonomik janë çelësi për një tranzicion të suksesshëm, u vlerësua në ditën e parë të konferencës kushtuar tranzicionit të drejtë dhe zhvillimit gjithëpërfshirës, me karbon të ulët të shoqërisë malazeze, e cila mbahet në Podgoricë.
“Përparësia më e madhe krahasuese e Malit të Zi është koncepti i një shteti ekologjik të mbështetur me Kushtetutë dhe Mali i Zi më në fund duhet të dalë nga tranzicioni”, tha kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Kryeministri iu referua edhe situatës ekologjike në Plevle, duke theksuar se tranzicioni duhet të ndodhë dhe termocentrali Plevla duhet të zgjedhë modelin më të mirë të rindërtimit dhe modernizimit.
Abazoviq theksoi se Mali i Zi, si një vend me më shumë se 240 ditë me diell në vit, duhet të fillojë të përdorë potencialin e tij në mënyrën e duhur.
Ai gjithashtu theksoi se Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim ka një partner të besueshëm në Qeverinë e Malit të Zi dhe se do të punojnë së bashku për të korrigjuar tranzicionin e padrejtë në mënyrë që Mali i Zi t’i bashkohet radhëve të vendeve të zhvilluara evropiane.
Përfaqësuesja e përhershme e PKBZH-së në Mal të Zi, Daniela Gashparikova, shtoi se qëllimi është që gradualisht të braktiset qymyri.
Ndërsa, shefi i Departamentit për Bashkëpunim të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Ingve Engstrom, theksoi se një tranzicion i drejtë në Mal të Zi është një hap i domosdoshëm për të siguruar shëndet dhe prosperitet ekonomik për brezat e ardhshëm – veçanërisht në rajonin e Plevlës.