KOSOVA SHËNON 15-VJETORIN E PAVARËSISË

Kosova sot shënon 15-vjetorin e pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008, pas një periudhe të mundimshme dhe të dhimbshme deri sa arriti mëvetësimin nga Serbia.

Edhe pse Kosova njihet si shtet i pavarur nga 117 vende, ajo përshkruhet si një nga rajonet me “konflikt të ngrirë” të Evropës për shkak të tensioneve të vazhdueshme me Serbinë në veri dhe mosqenies anëtare e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne me rastin e 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Në seancë morën pjesë presidentja e vendit Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, ministra, deputetë, ambasadorë të huaj, përfaqësues fetarë dhe të ftuar të tjerë.

Pas interpretimit të himnit shtetëror të Kosovës dhe disa pjesëve muzikore nga Filarmonia e Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dha nderime për të rënët e luftës për liri, përfaqësuesit që kontribuuan në shtetndërtim dhe për policët e ushtarët.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, si i ftuar për herë të parë si president në një përvjetor të pavarësisë së Kosovës, tha se Shqipëria është pranë Kosovës për anëtarësimin e saj në NATO dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se akti i deklarimit të pavarësisë së Kosovës dhe i shpalljes së saj shtet më 2008, shënon hapjen e një kapitulli të pakthyeshëm në historinë moderne të Kosovës.

Ai tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës këtu e 15 vite më parë, ishte rezultat i shumë përpjekjeve dhe sakrificave të skajshme të popullit tonë shqiptar si dhe i ndihmës e përkrahjes aq të nevojshme të partnerëve dhe aleatëve ndërkombëtarë.

Pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall më 17 shkurt 2008, e njohën shumë shtete të botës, përfshirë edhe Türkiyen. Sot Kosova njihet si shtet i pavarur nga 117 shtete.

SHARE