Kryetari I Komunës së Ulqinit Loro Nrekiqi me bashkëpunëtorë pritën në takim pune me kërkesën e tyre delegacionin e Këshillit të Evropës, respektivisht,anëtarët e Komitetit këshillimorë të Konventës për Mbrojtjen e Pakicave të kryesuar nga Laura Maria Craciunean Tatu.
Siç kumtohet nga Komuna e Ulqinit, mysafirët u interesuan për realizimin e të drejtave të pakicave në komunën e Ulqinit dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ajo.
Nga Delegacioni i Këshillit të Evropës kërkuan përgjigje në pyetjet për përbërjen nacionale të të punësuarve në komunë, për konsultat që bëhen me rastin e emërimeve të Drejtorëve të shkollave ,për njohjen e dygjuhësisë në radhën e të rinjve etj Vëmendje e veçantë iu kushtua pozitës së disa familjeve të ardhura rome të stacionuar në Mal të Bardhë, shkollimit të fëmijëve të tyre, por dhe sqarime për Liturgjinë e mbajtur nga ana e Kishës Ortodokse Serbe në Shas, apo ndaljen e një personi nga ana e policisë për vendosjen e mini- flamujve shqiptar në veturën e tij në Ditën e flamurit kombëtar.
Kryetari i Komunës së Ulqinit Loro Nrekiqi , mysafirëve u tha se Ulqini është i njohur si mjedis i multikuturës dhe diversitetit jo vetëm në Mal të Zi, por edhe më gjerë dhe se marrëdhëniet ndërnacionale në Ulqin tradicionalisht kanë qenë të mira.
Nrekiq, gjithashtu foli për vështirësitë financiare me të cilat ballafaqohet komuna dhe përpjekjet që bën për tejkalimin e kësaj situatë.
Respektimi i të drejtave të pakicave është çështje të cilës ekzekutivi i kushton vëmendje të veçantë tha Nrekiqi dhe nënvizoi se secili projekt i ardhur nga ta është mbështetur nga komuna.
Nrekiq dënoi aktet e veçanta të shkeljes së të drejtave të pakicave.