Sot në seancën e Komunës së Tuzit u bë shkurtimi i mandatit të këshilltarëve në Kuvendin e Komunës së Tuzit, komunë në kuadër të Kryeqytetit.
Kjo iniciative erdhi me propozim të partive në pozitë PDS-UDSH, PB,SD. Shkurtimi i mandatit të këshilltarëve u votua me votat e këshilltarëve të koalicionit qeverisës të përbërë nga Partia Demokratike e Socialistëve, Partia Boshnjake, Unioni Demokratik i Shqiptarëve si dhe të këshilltarëve të Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike Shqiptare dhe Malit të Zi Demokratik, nga radha e opozitës.
Mandati i këshilltarëve/eve të Kuvendit të komunës në kuadër të Kryeqytetit- Tuz, përfundon me ditën e verifikimit të mandatit të këshilltarëve në seancën e parë të Kuvendit të komunës së Tuzit. Ky Vendim hyn në fuqi me ditën e publikimit në “Fletën zyrtare të Malit të Zi – dispozitat komunale”.
Me shkurtimin e mandatit, Malësia shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme lokale, por për dallim nga herët tjera tani do garojnë si këshilltarë të Komunës së plotë të Tuzit. Kuvendi i ri i Komunës së Tuzit, do numërojë 32 këshilltarë. Zgjedhjet e reja për Komunë të plotë, zyrtarisht , pritet ti shpallin Presidenti i MZ, në ditët në vijim.