NISIN KONSULTIMET PËR PËRZGJEDHJEN E GJYQTARËVE TË GJYKATËS KUSHTETUESE

Kanë nisur konsultimet mes palëve për përzgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Dialogu është iniciuar nga kryetarja e atij organi, Simonida Kordiq, në kuadër të komisionit amë parlamentar. Si FD ashtu edhe PDS besojnë se këtë herë mund të arrihet një marrëveshje dhe të zhbllokohet Gjykata Kushtetuese. Kryetarja e Komisionit Kushtetues, Simonida Kordiq nga FD, ka filluar konsultimet në kuadër të këtij organi parlamentar për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Dëgjimi i kandidatëve është drejt fundit dhe bisedimet mes palëve do të vazhdojnë në ditët në vijim, tha Kordiq për Radion e Malit të Zi. “Është e rëndësishme që anëtarët e komisionit të shkëmbejnë mendime, sepse Komisioni Kushtetues është instanca që i propozon kandidatët vetë Kuvendit”, tha Kordiq. Kordiq beson se mund të sigurohet një shumicë prej dy të tretash për katër gjyqtarë. “Besoj se është pjekur vetëdija politike për domosdoshmërinë e kompletimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila është e rëndësishme për qytetarët e Malit të Zi, por edhe për stabilitetin e përgjithshëm politik dhe zbatimin e proceseve demokratike zgjedhore”, shpjegon Kordiq. PDS është gjithashtu e bindur se palët këtë herë mund të arrijnë një marrëveshje. “Ka shumë kandidatë të mirë, kështu që nuk shoh ndonjë arsye pse të mos arrijmë marrëveshje”, tha deputeti i PDS-së, Luigj Shkrela.

SHARE