ABAZOVIQ NDEROHET ME TITULLIN “DOCTOR HONORIS CAUSA”

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq është nderuar këtë të premte me titullin “Doctor Honoris Causa”. Në fjalën e tij, ai tha se ishte kënaqësi e veçantë që ndodhej në Tiranë, ndërsa shprehu bindjen se në rajonin e Ballkanit po vjen një frymë e re, që po le pas të shkuarën. “Besoj se ideja e të gjithëve neve duhet të jetë e njëjtë, të shtyjmë një frymë europiane në këto treva, të bashkohemi për të mirën, të kemi një vizion ndryshe me të kaluarën, të jemi gatshëm të marrim atë sakrificë për atë që duhet me sjellë ndryshe… Sot kam një nder të veçantë, ju faleminderit të gjithëve. Është një obligim i im jetësor, kombëtar, por edhe profesional, që në të ardhmen të justifikoj këtë nderim dhe të bëhen punë të mira si për Shqipërinë, ashtu dhe për Malin e Zi dhe për të gjithë rajonin. Jam i bindur se me një frymë të re, që ndihet që do të vijë në rajonin e Ballkanit do të jetë një frymë ku shumë më shumë do të ndihet zëri i shkencën i njerëzve të cilët kanë një background, një mundësi me dhënë kontribut për zhvillim dhe shumë më pak ka për të qenë si deri më tani, një primitivizëm dhe një mendësi ku çdokush që ka qejf me ecur në një mënyrë më ndryshe të jetë i etiketuar dhe i sulmuar pa fakte”, tha Abazoviq mes të tjerash në fjalën e tij. Abazoviq në Tiranë bëri edhe promovimin e librit të tij të fundit “Kritika e Etikës Globale”. Në fillim, kryeministri shqiptar Edi Rama foli për librin dhe autorin, kryeministrin Abazoviq, e më pas prof. dr Arben Cici dhe prof. dr Perparim Kabo. Duke pranuar pa asnjë kompleks se nuk e kishte lexuar librin e tij, Rama zgjodhi të flasë për atë që vlerëson tek politikani Abazoviq. Përdori metaforën e “Urës”, emër që mban dhe partia që drejton Abazoviq për të vlerësuar rolin e tij ne politikën e shtetit fqinj. “Është një privilegj të jesh mik me një person i cili është një fenomen në politikën ballkanike. Është një fenomen i veçantë dhe i pakrahasueshëm me askënd tjetër. Falë veprimit ka arritur të guxojë në diçka që unë nuk di dikë tjetër të ketë guxuar në krijimin e një lëvizje politike e cila është përtej etike”, u shpreh Rama.

SHARE