RAPORTIME PËR BOMBA NË DISA SHKOLLA NË PODGORICË

Mësimi në disa shkolla fillore dhe të mesme në Podgoricë është ndërprerë për shkak të raportimit për një bombë, njoftoi Administrata Policore. Ministria e Arsimit ka njoftuar se menjëherë pas marrjes së informacionit për bombat e raportuara, ka thirrur të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, dhe ka rekomanduar që nxënësit dhe punonjësit të dalin nga objektet e shkollës dhe të informojnë policinë për të gjitha aktivitetet. Në adresat e disa shkollave fillore është dërguar email me alarm për bombë. Gjithashtu janë evakuuar nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Spasoje Raspopoviq” dhe gjimnazit “Slobodan Shkeroviq”. Siç mësojmë, mësimi në shkolla është ndërprerë dhe nxënësit janë evakuuar. Njësit speciale të Drejtorisë së Policisë kryejnë kontrolle. Ministria e Arsimit u ka dërguar shkresë të gjitha shkollave fillore dhe të mesme në territorin e Podgoricës dhe komunës së Zetës se sot në turnin e pasdites do të organizohet online punë edukative, e cila do të sigurojë vazhdimësinë e mësimit dhe sigurinë e nxënësve.

SHARE