AMBASADORI I SHQIPËRISË NË MZ, KURTEZI, VIZITON KOMUNËN E ULQINIT

Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi,Ridi Kurtezi, vizitoi sot komunën e Ulqinit, Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në MZ dhe partitë politike Shqiptare.

Ai u takua me kryetarin e Komunës së Ulqinit Loro Nrekiqi dhe bashkëpunëtorët e tij.

Ai fillimisht falënderoi Nrekiqin për pritjen dhe i përcolli përshëndetjet e autoriteteve shqiptare.

Kurtezi gjithashtu vlerësoi  marrëdhëniet midis dy shteteve  të cilat i cilësoi se mund të shërbejnë si shëmbull.

Kurtezi u ndal edhe tek  ndihmesa e faktorit shqiptarë në Mal të Zi, në forcimin e këtyre marrëdhënieve,por dhe tek ndihma e tyre konstruktive  në qeverisjen e lartë apo në çështjet madhore për shtetin e Malit të Zi. Ndërkaq , kryetari i  Komunës së Ulqinit Loro Nrekiqi duke i uruar suksese në misionin e tij , njoftoi Ambasadorin Kurtezi me funksionimin e pushtetit vendorë ,me projektet që janë në realizim e sipër në Komunën e Ulqinit dhe ata që priten të realizohen në një të ardhme të shpejtë me ndihmën e Qeverisë së MZ.

Në takim u fol edhe për angazhimin e  dy vendeve në thithjen e mjeteve të Bashkimit Evropian dhe realizimin e projekteve të përbashkëta.

Krahas kësaj vend i veçante iu kushtua bashkëpunimit në fushën e kulturës, artit dhe sportit. Në  këtë takim folën dhe nënkryetarët e komunës Hadixhe Gjoni dhe Astrit Hoxha.

Ndërkaq ambasadori Kurtezi, vizitoi edhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në MZ, ku u prit nga Kryetari Faik Nika.

Nika me anë të një postimit në profilin e tij në FB, deklaroi se informoi z. Kurtezin me punën e Këshillit Kombëtar, themelimi dhe funksionimit të tij si dhe kompetencave dhe aktiviteteve që kanë të bëjnë me KKSH-në.

Nika më tej shton se e njoftoi ambasadorin po ashtu edhe për çështjet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Malin e Zi si në: arsim, kulturë, përfaqësim propocional ne institucione, investimet publike, përdorim të gjuhës dhe simboleve kombëtare etj.

Në përfundim Nika thekson se me Kurtezin u dakorduan për intensifikim të marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës dhe Këshillit, me qëllim  të ruajtjes dhe kultivimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi.

Edhe nga Partia Demokratike u njoftua se të martën në selinë e kësaj partie ishte mysafirë ambasadori i ri i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi Ridi Kurtezi. Përfaqësuesin e ri diplomatik të Shqipërisë me situatën në Ulqin dhe Mal të Zi, me pozitën dhe statusin e Shqiptarëve, në mënyrë të hollësishme e njoftuan funksionarët e PD-së në krye me kryetarin  e saj Fatmir Gjekën. Siç kumtohet nga PD, janë dakordua që takimet e tilla të dobishme dhe të këndshme të mbahen rregullisht në të ardhmen, sepse janë në interes të ndërsjellët.

SHARE