SOT U HAP FABRIKA E ÇIPSIT, SË SHPEJTI EDHE DY FABRIKA TJERA NË TUZ

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq dhe kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj kanë hapur sot fabrikën e përpunimit të patates në Tuz, e para e këtij lloji në Mal të Zi.

Abazoviq tha se hapja e një objekti të tillë do të tregojë se Mali i Zi nuk është vetëm vend i turizmit por edhe i prodhimit. “Produkti Made in Montenegro do të jetë një burim krenarie për të gjithë qytetarët e Malit të Zi dhe më në fund do të kemi një produkt që do të gjendet në shumë rafte në të gjithë rajonin dhe pse jo në të gjithë Evropën,” tha Abazoviq. Siç ka paralajmëruar Abazoviq, komuna e Tuzit në periudhën e ardhshme do të hapë edhe dy fabrika të tjera. “Do të krijojë më shumë vende pune. Ky është një apel për të qëndruar këtu në vendin tonë, por edhe një apel që të jemi të vetëdijshëm se duhet të jemi konkurrues”, tha Abazoviq.

Kryetari Gjeloshaj tha se ky është një nga hapat e parë por të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Malësisë dhe Malit të Zi. “Ky investim vlen miliona dhe do të bëhet një markë e njohur në vend dhe më gjerë. Është çështje javësh, kur do të hapim edhe dy fabrika të reja që do të përpunojnë produktet e fermerëve dhe blegtorëve tanë. E gjithë kjo vjen në një kohë kur fabrikat janë në prag të falimentimit apo mbylljes”, tha Gjeloshaj. Ai shtoi se në këtë mënyrë do të parandalohet emigrimi, si dhe se çdo punonjës në fabrikat e tyre do të thotë një familje më shumë në Malësi. Gjeloshaj beson se do të ketë një perspektivë më të ndritur për të rinjtë tanë.

Drejtoresha e fabrikës, Rialda Perkoviq, tha se hapja e fabrikës është një sukses i madh për vendin. “Hapja e fabrikës do të përmirësojë prodhimin bujqësor. Kemi pasur një përgjigje të madhe nga prodhuesit bujqësorë të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të pamatshëm”, ka shtuar Perkoviq.

Njëri nga pronarët e fabrikës, Bedri Kosumi, tha se hapja e fabrikës është hapi i parë që mbyll ciklin e prodhimit bujqësor nga arat në treg. “Duke filluar nga viti i ardhshëm po zgjerojmë prodhimin, me dyfish më shumë kapacitet se sot. Na duhet një grup i kualifikuar për të bërë cilësi të mirë dhe jam i bindur se do t’ia dalim”, tha Kosumi. Ai tha se hapi i dytë i fabrikës është prodhimi i produkteve të ngrira. “Dikush mund të pyesë se pse është hapur një fabrikë në Tuz dhe Mal të Zi dhe arsyeja është se kemi parë që ka fermerë punëtorë dhe patate të cilësisë së mirë dhe ky është çelësi i gjithçkaje”, tha Kosumi.

SHARE