OSMANI: BRENDA DITËSH DO TË QARTËSOHET ÇËSHTJA E ZGJEDHJEVE NË VERI

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se brenda dy-tri ditësh do të qartësohet çështja e shtyrjes apo jo të zgjedhjeve në veri të Kosovës. Gjatë një prononcimi për media, Osmani tha më 8 dhjetor se institucionet fillimisht duhet të marrin vlerësimet e institucioneve të sigurisë për situatën në veri dhe më pas të mbahen konsultime me partitë për shtyrjen apo jo të zgjedhjeve. “Si rregull, ekzistojnë kritere që janë caktuar nga Komisioni i Venecias për çështje të shtyrjes së zgjedhjeve. Në rastet kur ligji shprehimisht nuk e parasheh të drejtën e shtyrjes së zgjedhjeve, siç është rasti i Kosovës, atëherë në këtë rast duhet të bëhet vlerësimi nga institucionet e sigurisë. Ky vlerësim duhet të trajtohet në KQZ, dhe në KQZ duhet të ketë një pajtim për të propozuar një gjë të tillë, nëse ata e vlerësojnë. Më pas ai propozim vjen në Presidencë, mirëpo Komisioni i Venecias i kërkon Presidencës patjetër të konsultojë partitë politike”, tha Osmani. Sipas të parës së vendit, për shtyrjen apo jo të zgjedhjeve duhet të ketë “konsensus” politik, pasi siç theksoi, vendime të tilla “nuk merren kokë më vete”. “Nëse një kërkesë e tillë vjen, pasi t’i dërgohet KQZ-së vlerësimi i sigurisë, si presidente unë do ta bëj vlerësimin tim dhe atë do ta ndaj me partitë politike, por patjetër duhet të ketë konsensus. Kjo është procedura dhe besoj që në dy-tri ditët në vijim gjithçka do të qartësohet”, tha Osmani. Osmani bëri të ditur se sot do të ketë takim me disa prej institucioneve të sigurisë dhe shtoi se njoftohet për situatën në baza ditore.

SHARE