Ministrat e jashtëm të NATO-s thanë të martën në një deklaratë të përbashkët se ata mbeten të palëkundur në “angazhimin për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës” dhe u zotuan se aleatët do ta ndihmojnë Ukrainën ndërsa ajo riparon infrastrukturën e saj energjetike mes sulmeve ruse. “Veprimet e papranueshme të Rusisë, duke përfshirë aktivitetet hibride, shantazhin e energjisë dhe retorikën e pamatur bërthamore, minojnë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Ne dënojmë mizorinë e Rusisë ndaj popullatës civile të Ukrainës dhe shkeljet dhe abuzimet e të drejtave të njeriut, të tilla si dëbimet me forcë, torturat dhe trajtimi barbar i grave, fëmijëve dhe personave në situata të cenueshme”, thuhet në deklaratë. “Ne gjithashtu mbetemi të vendosur në mbështetjen e përpjekjeve afatgjata të Ukrainës në rrugën e saj të rindërtimit dhe reformave të pasluftës, në mënyrë që Ukraina të mund të sigurojë të ardhmen e saj të lirë dhe demokratike, të modernizojë sektorin e saj të mbrojtjes, të forcojë ndërveprueshmërinë afatgjatë dhe të pengojë agresionin e ardhshëm.” sipas deklaratës. Ukraina ka përjetuar ndërprerje të energjisë elektrike ndërsa Rusia vazhdon të bombardojë infrastrukturën energjetike. “Ne do të vazhdojmë të forcojmë partneritetin tonë me Ukrainën ndërsa ajo avancon aspiratat e saj euro-atlantike,” thanë ministrat.