MIJËRA QYTETARË PROTESTUAN NË PODGORICË PËR KRIZËN POLITIKE NË VEND

“Ne jemi shumë” ishte pankarta që mbante ne duar njëri prej mijëra protestuesve që mbushën mbrëmjen e djeshme sheshin përpara selisë së parlamentit në Podgoricë, me thirrjet për tërheqjen e ndryshimeve të Ligjit për Presidentin, miratimin e marrëveshjes për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Mal të Zi. “Tubimi i sotëm, si dhe tubimet e mëparshme dhe të ardhshme, nuk janë protesta të asnjë partie, asnjë grupi partiak, asnjë individi, janë më të rëndësishme se kaq: Janë një thirrje për mbrojtjen dhe ruajtjen e rendin kushtetues dhe institucioneve të shtetit në Malin e Zi,” tha profesoresha dhe aktivistja Jasmina Nikçeviq, bashkëorganizatore e këtyre protestave. Studentë dhe përfaqësuesë të shoqërisë civile folën gjithashtu në mbështetje të Malit të Zi si “shtet shumetnik dhe të barabartë për të gjithë popujt që jetojnë në të”. Tubimi u zhvillua nën sytë e kujdesshëm të policisë, prania e forcave të së cilës ishte shtuar ndjeshëm, e shoqëruar dhe me automjete të blinduara pavarësisht se nuk pati asnjë përshkallëzim të situatës. Kjo është protesta e dytë që nga fillimi i këtij muaji. 

SHARE