ABAZOVIQ NË BEOGRAD: NË FOKUS BURIMET E RINOVUESHME TË ENERGJISË

Kryeministri i Malit të Zi në mandatin teknik, Dritan Abazoviq tha se janë të gatshëm për një cikël të madh investimesh në sektorin e energjisë, dhe se fokusi është në burimet e ripërtëritshme të energjisë. Ai, me ftesë të Mbretërisë së Norvegjisë, po merr pjesë në Konferencën Rajonale “Mundësitë e investimit në burimet e rinovueshme të energjisë në Ballkanin Perëndimor” në Beograd. “Mali i Zi ka ambicien të ndërtojë objekte të rëndësishme energjetike për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme në mënyrë që të eliminojë çekuilibrin midis prodhimit të energjisë elektrike dhe furnizimit të duhur dhe ta cilësojë veten si një destinacion të gjelbër,” tha Abazoviq. Ai tha se problemi i Malit të Zi është disbalanca dhe fakti që në një periudhë të vitit prodhon energji elektrike, ndërsa në pjesën tjetër importon. “Ky është një koncept i papranueshëm për ne, sepse shumica e qyteteve tona kanë më shumë se 250 ditë me diell në vit”, tha Abazoviq. Synimi, tha ai, është që të fillojë ndërtimi i objekteve të reja energjetike sepse në 40 vitet e fundit nuk janë ndërtuar objekte të rëndësishme. “Ambicia jonë është që të kemi një aktivitet të madh në ndërtimin e objekteve të reja energjetike, termocentrale diellore, termocentrale me erë dhe ideja për të filluar me ndërtimin e objekteve të depozitimit të gazit të lëngshëm në Portin e Tivarit me mundësinë e ndërtimit të një termocentrali që do të prodhonte rrymë”, tha Abazoviq. Abazoviq ftoi investitorët dhe kompanitë norvegjeze të marrin pjesë në projekte në Mal të Zi, si ato, dokumentacioni i planifikimit të të cilëve tashmë është përfunduar, ashtu edhe ato për të cilat është shfaqur interes i ndërsjellë. Ai tha se deri në fund të vitit do të nënshkruhet kontrata për parkun e erës “Gvozd”, i cili pritet të vihet në punë në vitin 2024. “Plani është që të ndërtohet një termocentral diellor afër Podgoricës, një termocentral me erë afër Budvës dhe një termocentral diellor afër Ulqinit”, tha Abazoviq.

SHARE