ABAZOVIQ: KUFIJTË NUK DUHET TË NDRYSHOHEN, POR TË BËHEN TË PADUKSHËM

Kryeministri i Malit të Zi në mandatin teknik Dritan Abazoviq theksoi se bashkëpunimi rajonal i vendeve të Ballkanit Perëndimor është një faktor kyç në stabilitetin politik, sigurinë dhe prosperitetin ekonomik dhe se ideali i tij si politikan është një rajon i pajtuar i Ballkanit Perëndimor pa kufij në Bashkimin Evropian. “Kufijtë nuk duhet të ndryshohen, duhet të bëhen të padukshëm”, theksoi kryeministri, duke nënvizuar se procesi i integrimit europian sigurisht që po na çon drejt atij ideali. Abazoviq u shpreh i kënaqur që ka mundësinë të kontribuojë në vazhdimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal, i cili do të ketë përfitime për të gjithë qytetarët e rajonit, përmes nënshkrimit të sotëm të marrëveshjeve shumë të rëndësishme. “Pas seancave të punës u mbajt ceremonia e nënshkrimit të tri marrëveshjeve rajonale për lirinë e lëvizjes me letërnjoftim, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve”, njofton Qeveria.

SHARE