ABAZOVIQ: NUK MUND TË SHKOJMË NË ZGJEDHJE PARLAMENTARE PA GJYKATËN KUSHTETUESE, LE T’I ZHBLLOKOJMË MË 20 NËNTOR

Nuk mund të shkojmë në zgjedhje parlamentare derisa të zhbllokojmë Gjykatën Kushtetuese, tha kryeministri në mandat teknik Dritan Abazoviq. Ai i bëri thirrje Partisë Demokratike të Socialistëve, si dhe partive të tjera, ta bëjnë këtë në seancën e Kuvendit të 20 nëntorit. Abazoviq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Berlin duke komentuar mesazhin e Partisë Demokratike të Socialistëve se nëse hiqet dorë nga ligji për Presidentin, ata do të jenë gati për një marrëveshje për Gjykatën Kushtetuese, theksoi se situata këtu është e qartë – i vetmi institucion që për çdo akt mund të thotë se është kushtetues apo antikushtetues është Gjykata Kushtetuese. “Që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale, në datën 20 nëntor, kur të kemi shansin e parë, duhet të zgjedhim të paktën një gjyqtar, nëse jo katër, për të zhbllokuar Gjykatën Kushtetuese. Prandaj, kjo zgjidhje ligjore dhe çdo tjetër mund të jenë objekt verifikimi. Nga ana tjetër, nuk mund të shkojmë në zgjedhje parlamentare derisa të zhbllokojmë Gjykatën Kushtetuese, sepse do të përfundojmë në një situatë që të mos ketë kush të njohë rezultatet e zgjedhjeve dhe as të verifikojë mandatet e reja”, tha Abazoviq. Prandaj, siç thotë ai, zgjidhja është shumë e thjeshtë. “Mesazhi im për PDS-në dhe kolegët e tjerë – le të zhbllokojmë Gjykatën Kushtetuese më 20 nëntor. Pas kësaj, ata që duan të kontrollojnë ligjin do të kenë mundësi, dhe ata që duan të shkojnë në zgjedhje do të kenë mundësi, nëse Parlamenti i Malit të Zi vendos ta bëjë këtë”, tha Abazoviq. Ai thotë se nuk i shmanget dialogut për të dalë nga kriza politike. “Sa i përket kryeministrit jam gati. Për sa më përket mua, nuk kam asnjë kufizim – as me Presidentin e vendit, me krerët e klubeve parlamentare, as me Kryetaren e Parlamentit. Kjo është mënyra e vetme për të dalë nga kjo situatë”, ka vlerësuar Abazoviq.

SHARE