“Peja Jazz” rikthehet me edicionin e tretë

“Anibar” dhe Kinema “Jusuf Gërvalla” këtë nëntor po e vazhdojnë organizimin e edicionit të tretë të “Peja Jazz” – serisë së koncerteve që lindi si shpresë në kohën kur pandemia COVID-19 goditi skenën e kulturës gjithë andej globit.

Edhe këtë vit “Peja Jazz” rikthehet për t’a vazhduar qëllimin e promovimit të muzikës xhaz dhe shndërrimin e qytetit të Pejës në stacion për adhurues të këtij zhanri.

Programi i sivjetmë është shtrirë përtej rajonit duke sjellë para publikut disa nga ikonat më të mëdha të xhazit nga Kosova, Italia, Mbretëria e Bashkuar e deri tek Amerika Latine.

Pjesë e programit të këtij edicioni do të jenë:

Elina Duni dhe Rob Luft (5 nëntor)

Elina Duni vjen e shoqëruar me kitaristin londinez Rob Luft (BBC New Generation Artist). Loja e tij e shkëlqyer midis ritmeve ballkanike dhe jazz-it, origjinaliteti i tingujve dhe virtuoziteti, i jep zërit të Elinës edhe më shumë shkëlqim.

Së bashku ata na bëjnë të udhëtojmë nëpërmes larshmërisë te folkut shqiptar dhe mesdhetar dhe gjithashtu i japin zë tematikave shoqërore te sotshme, nëpërmjet kompozimeve te tyre ëndërrimtare.

Ana Carla Maza (6 nëntor)

Ana Carla Maza ju bashkua skenës së muzikës qysh nga mosha 10 vjeçare, dhe që atëherë nuk ndaloi së evolvuari ndërkombëtarisht. Ana krijon universin e saj muzikor duke kombinuar muzikën jazz, atë klasike dhe elemente të muzikës latine.

Rona Nishliu Quartet (7 nëntor)

Me zërin e saj magjepses dhe performancë të klasit botëror, e njohur për gamën e saj vokale dhe fuqinë interpretuese, duke përfshirë nuancat e muzikës shpirtërore, Rona Nishliu Quartet vijnë në natën e tretë të Peja Jazz.

Vinicio Capossela (8 nëntor)

Radioja, shkrimi, kinemaja, shpeshherë janë konverguar në karrierën artistike të Vinicio Capossela, shenjë dalluese e një artisti që ka kapërcyer gjithmonë barrierat ekzistuese midis arteve të ndryshme. Capossela është i njohur për tekstet shumë origjinale dhe poetike të këngëve të tij. Shumë prej tyre vijnë nga traditat e muzikës popullore italiane, veçanërisht ato të vendlindjes së prindërve të tij, Irpinia, pjesë e provincës Campania.

Biletat mund të gjinden në këto lokacione

● Pejë: Kinema Jusuf Gërvalla, Exit bar, Dio CoffeeShop , Zade Lounge Bar, Qendër
● Prishtinë: Bubble Pub, Dit e Nat
● Prizren: Destill
● Gjakovë: Etno
● Mitrovicë: 7 Arte, Muze Bar

Ky edicion i “Peja Jazz” është kuruar nga Dardan Selimaj.

SHARE