RIKTHEHEN FURNIZIMET ME RRYMË DHE UJË NË KIEV

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se furnizimet me energji elektrike dhe ujë janë rikthyer një ditë pas sulmeve me raketa ruse në objektet ukrainase të energjisë. “Furnizimet me ujë në Kiev janë rikthyer plotësisht”, tha Klitschko duke falënderuar kompanitë që kanë punuar në këtë drejtim. Klitschko tha se edhe furnizimet me energji janë rikthyer, mirëpo ende ka me raste ndërprerje, për shkak të dëmit të madh. Ka disa javë që Rusia është duke shënjestruar infrastrukturën ukrainase të energjisë, dhe ndërtesa tjera civile, me raketa, dronë dhe sulme artilerie, teksa ushtria ukrainase zgjeron kundërofensivën në lindje dhe juglindje. Në fjalimin e tij të përnatshëm, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha ndërkohë se sistemi ukrainas i mbrojtjes ajrore ka bërë punë të mirë në rrëzimin e shumicës së raketave që janë nisur drejt hapësirës ajrore të Ukrainës. “Forca jonë ajrore, dhe secili që është përfshirë në mbrojtjen e qiellit, ka bërë punë të mirë sot”, tha Zelensky. Zyrtarët perëndimorë dhe ata ukrainas kanë thënë se meqë Kremlini është duke dështuar në përmbushjen e synimeve në luftën e nisur tetë muaj më parë, ushtria ruse po tenton, cdo herë e më shumë, që të terrorizojë dhe demoralizojë popullsinë ukrainase. Rusia deri më tani ka shkatërruar më shumë se 40 për qind të infrastrukturës ukrainase të energjisë.

SHARE