Për kryeministrin Rama ka vetëm një raport i cili është totalisht i besueshëm për zhvillimin e vendit dhe ai raporti i përgatitur çdo vit nga Komisioni Evropian dhe që quhet ‘raporti i progresit për Shqipërinë’. “Për mua ka vetëm një raport ndërkombëtar të thellë e të besueshëm 100% për ecurinë e vendit: Raporti i Progresit të Shqipërisë nga Bashkimi Evropian – fakte jo perceptime, analiza objektive jo gjykime subjektive, skuadër profesionale me kohë të plotë, jo nënkontraktorë part-time”, ka shkruar Rama në një postim në Twitter. Komisioni Evropian ka vlerësuar pozitivisht ecurinë që ka bërë Shqipëria në rrugën e reformave, ndërsa nuk lë jashtë vëmendjes rëndësinë e bashkëpunimit që qeveria duhet të ketë me opozitën dhe aktorët e shoqërisë civile. Në raport vlerësohet se qeveria mbajti fokusin te reformat që duhet të realizohen si dhe ka përforcuar strukturën e saj koordinuese për integrimin në BE. Sa i takon reformës së administratës publike, Shqipëria vlerësohet të jetë “mesatarisht e përgatitur” dhe me një “përparim të kufizuar në forcimin e kapaciteteve të ministrive të linjës për të zbatuar vlerësimet e ndikimit rregullator dhe për të mbajtur konsultime publike”. Sistemi gjyqësor i Shqipërisë, sipas Komisionit Europian “ka arritur një shkallë përgatitjeje të moderuar” dhe Reforma në Drejtësi konsiderohet të ketë patur “një përparim përgjithësisht të mirë”. Raporti vë në dukje emërimet për plotësimin e vendeve në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, duke theksuar se “megjithatë procedurat e gjata, dhe një numër i madh i çështjeve të prapambetura vazhdojnë të ndikojnë negativisht në efikasitetin e sistemit gjyqësor”.