DJE U MBAJTEN ZGJEDHJET LOKALE NË 14 KOMUNA NË MAL TË ZI


Dje janë mbajtur zgjedhjet lokale në Podgoricë dhe 13 komuna të tjera në Mal të Zi. Zgjedhjet u mbajtën në Podgoricë, Tivar, Bijello Pole, Plevle, Rozhajë, Budva, Danillovgrad, Zetë, Tivat, Plavë, Kollashin, Zhablak, Plluzhine dhe Shavnik. Të drejtë vote kishin rreth 350 mijë qytetarë. Qendra për Tranzicion Demokratik, e cila monitoroi zgjedhjet, njoftoi se ishte një ditë zgjedhjesh paqësore dhe problemet më serioze u regjistruan në Shavnik. Zëvendës drejtoresha e programit të QTD-së, Millena Gvozdenoviq, tha se votimi as nuk ka filluar në katër vendvotime në Shavnik, ose ato janë mbyllur për shkak të konflikteve në vendet e votimit. Sipas të dhënave të QTD, në kryeqytet kanë votuar gjithsej 69.3 për qind e votuesve të regjistruar. Kjo është një pjesëmarrje më e lartë krahasuar me vitin 2018, kur votuan 64,4 për qind dhe më e ulët në krahasim me vitin 2020, kur 81,1 për qind e votuesve ushtronin të drejtën e votës. Koalicioni “Të gjithë për qytetin tonë” fitoi më së shumti vota në zgjedhjet në Podgoricë, por shumicën e kanë partitë fituese të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve lokale të mbajtura dje. PDS-ja ishte në pushtet në 8 nga 14 qytetet ku u zgjodhën autoritetet lokale. Por, siç janë gjërat tani, PDS-ja do të formojë qeverinë në Tivar, Plavë dhe Bijello Pole, ndërsa partitë opozitare fituan në Plevle, Zhablak, Danillovgrad dhe Kollashin. Sipas të dhënave paraprake, ndryshimi i qeverisë është bërë në 7 komuna. Sipas të dhënave të fundit, PDS do të jetë në pushtet së bashku me SD dhe SDP në Plavë. Në Rozhajë, Partia Boshnjake arriti një fitore absolute. Nga ana tjetër, forcat politike që fituan pushtetin në nivel shtetëror më 30 gusht 2020 ishin bindëse në Podgoricë, Zetë, Zhablak, Plevle, Budva dhe Tivat.

Në Podgoricë: 

Koalicioni “Të gjithë për qytetin tonë” fitoi 38,1 për qind të votave (24 mandate) në zgjedhjet në Podgoricë, dhe lëvizja “Evropa Tani” ka 21,7 për qind (13 mandate), sipas të dhënave nga Qendra për Tranzicionin Demokratik (QTD) bazuar në 100 për qind qendrat e votimit të përpunuara. Siç është njoftuar në faqen e QTD-së, koalicioni “Për të ardhmen e Podgoricës” ka fituar 18.2 për qind, pra 11 mandate. Koalicioni “Shkojmë njerëz” u mbështet nga 10.8 për qind e qytetarëve (6 mandate) dhe LQ URA Civis, Alternativa Shqiptare 6.4 për qind (4 mandate). Sipas të dhënave të QDT, Partia Popullore Socialiste – 2.8%, Lëvizja “Preokret” – 1.8% dhe lista serbe “Svetosavska” – 0.2% janë nën cenzus.

SHARE