RISHI SUNAK, KRYEMINISTRI I RI I BRITANISË SË MADHE

Rishi Sunakut i hapet rruga për të qenë kryeministri i ri i Britanisë së Madhe. Ajo që mund të ishte rivalja e tij në garën për kreun e ri të qeverisë britanike Peni Mordant, nuk arriti të sigurojë 100 firmat e nevojshme nga deputetët konservatorë për të siguruar kandidimin. Deri në orën 14:00 me orën lokale të Londrës kur ishte edhe afati i fundit i dorëzimit të firmave, Mordant kishte vetëm 25 nënshkrime, ndërsa Sunak të paktën 172. Mëngjesin e kësaj të hëne nga sfida u tërhoq Boris Xhonson, pas thirrje të shumta për të mos e zgjatur garën kryeministrore, teksa vendi ka nevojë për vendimmarrje urgjente, për menaxhimin e krizës më të rëndë energjetike që prej Luftës së Dytë Botërore. Shumë mbështës të Xhonsonit u renditën menjëherë në krah të Rishi Sunakut, ndër të cilët edhe ministri aktual i Financave Xheremi Hant e ish-ministrja e Brendshme Priti Patel. Pritet që Sunak të marrë postin e kryeministrit brenda kësaj të hëne, duke u bërë i pari kryeministër me origjinë indiane dhe nga pakicat etnike në historinë e Britanisë së Madhe.

SHARE