MIRATOHET REZOLUTA KUNDËR ANEKSIMEVE E TERRITOREVE UKRAINASE NGA RUSIA

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) me votën pro të 143 vendeve miratoi rezolutën që dënon aneksimin e paligjshëm të territoreve ukrainase nga Rusia. Votimi i zhvilluar në Asamblenë e Përgjithshme me 193 anëtarë, ka ardhur pasi Rusia mbajti një seancë urgjente më 10 tetor për të diskutuar referendumet e “paligjshme” që zhvilloi për të aneksuar rajonet Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson në lindje të Ukrainës. Në votim, 143 vende votuan pro dënimit të veprimit të Rusisë, ndërsa 5 vende përfshirë Rusinë, Venezuelën, Korenë e Veriut, Bjellorusinë dhe Sirinë votuan kundër. Ndërkohë që 35 vende, përfshirë Kinën dhe Indinë, kanë abstenuar. Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u bën thirrje të gjitha shteteve dhe organizatave ndërkombëtare që të mos njohin asnjë nismë të Rusisë për katër rajonet në lindje të Ukrainës dhe nga Moska kërkon që “të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të gjithë forcat ushtarake që ndodhen brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës”. Po ashtu theksohet se mbështetet pakësimi i tensionit aktual dhe që konflikti të zgjidhet me dialog, negociata, ndërmjetësim dhe rrugë të tjera paqësore.

SHARE