MBI 1.000 RUSË TË ARRESTUAR NË PROTESTAT KUNDËR MOBILIZIMIT

Mbi 1.000 persona janë arrestuar në Rusi gjatë protestave që u organizuan në disa qytete për të kundërshtuar shpalljen e mobilizimit të pjesshëm ushtarak nga presidenti rus, Vladimir Putin. Protesta janë organizuar në Moskë, Shën Petersburg dhe në 30 qytete të tjera ruse, pasi Putini bëri njoftimin për mobilizimin më 21 shtator, tha organizata OVD-Info. Deri në orën 22:00, sipas kohës lokale në Moskë, pothuajse 1.000 persona u ndaluan në protestat në Moskë dhe Shën Petersburg, tha kjo organizatë për të drejtat e njeriut. Ndërkaq, edhe afër 200 persona u arrestuan në qytete të tjera, përfshirë në Jekaterinburg, Krasnojarsk, Ufa, Krasnodor dhe Irkutsk. Në Moskë, protestuan edhe shumë gra të cilat brohoritën “Jetë për fëmijët tanë”, dhe “Jo luftës”. Sipas videove të postuara në rrjetet sociale, qindra persona protestuan në Moskë, teksa protestuesit formuan zinxhir njerëzor, duke u kapur për dore me njëri-tjetrin. Protestuesit po ashtu mbajtën pankarta me ngjyrë të kaltër dhe të verdhë, që janë ngjyrat e flamurit ukrainas dhe brohoritën “Kundër mobilizimit” dhe “Rusia pa Putinin”. Autoritetet paralajmëruan qytetarët se mund të përballen deri me 15 vjet burgim për pjesëmarrje në këto protesta.

SHARE