SOT FILLOI VITI I RI SHKOLLOR 2022/23

Sot në Mal të Zi filloi viti shkollor 2022/23, me rreth 94 mijë nxënës të rregjistruar. Pas dy vitesh, mësimi do të zgjasë 45 minuta. Bojana Neneziq nga Instituti i Arsimit tha se ora shtesë do të jenë në dispozicion për të gjithë fëmijët, veçanërisht grupet e cenueshme. Ata që mendojnë se nuk kanë nevojë, nuk do të duhet të marrin pjesë në të. Instituti i Arsimit rekomandon mësime plotësuese për të gjithë nxënësit, për të kompensuar mangësit gjatë dy viteve të mëparshme. Maskat mbrojtëse të rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, të cilat ishin të detyrueshme dy vitet e mëparshme, këtë vit do të përdoren nga nxënësit vetëm nëse dëshirojnë. Tekstet shkollore për nxënësit fillor u shpërndanë gjatë muajit gusht falas, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme i blenë. Sipas kalendarit shkollor për vitin 2022/23, viti shkollor do të përfundojë më 13 qershor të vitit vijues, ndërsa për nxënësit e klasave të fundit do të zgjasë pak më pak, pra deri më 19 maj të vitit pasardhës. „Shteti do të mundohet të sigurojë kushtet më të mira për shkollimin e nxënësve të Malit të Zi,“ tha kryetarja e Kuvendit, Danijela Gjuroviq, duke uruar fillimin e vitit të ri shkollor. Po ashtu, sot nxënësit që ndjekin mësimin në Shkollat fillore në Malësi dhe SHMP „25 Maji“ kanë filluar vitin shkollor 2022/23, duke u rikthyer në bankat shkollore.  

SHARE