TË PAKTËN 18 TË VDEKUR PAS SHPËRTHIMIT NË NJË XHAMI NË AFGANISTAN

Të paktën 18 persona kanë humbur jetën sot nga një shpërthim para një xhamie në qytetin Herat në perëndim të Afganistanit, ndërsa 21 persona janë plagosur. Në mesin e të vrarëve ishte një klerik i rangut të lartë që mbështet Talebanët, raportoi reuters. “Mujib Rahman Ansari, disa nga truprojat e tij dhe civilë u vranë ndërsa po ecnin drejt xhamisë”, tha zëdhënësi i policisë së Heratit, Mahmoud Rasoli. Askush nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për shpërthimin. Zëdhënësi i Talebanëve, Zabiullah Mujahid kërcënoi autorët e këtij krimi se do të dënohen, raporton bbc. Mujib Rahman Ansari foli në mbrojtje të Talebanëve para një grupi prej disa mijëra studentëve dhe mbështetësve të mbledhur në qershor të këtij viti, duke dënuar këdo që kundërshtonte administratën talebane. Talebanët janë zotuar të garantojnë sigurinë në vend që nga marrja e pushtetit një vit më parë, por ka pasur disa sulme në muajt e fundit, disa duke synuar xhamitë e mbushura me njerëz gjatë lutjeve. Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin për rritjen e numrit të sulmeve në Afganistan që i atribuohen degës lokale të “Shtetit Islamik”.

SHARE