Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka organizuar një pritje për Angjella Berishaj, fituese e medaljes së argjentë në garat botërore për juniorë në Sofje të Bullgarisë. Kryeministri theksoi se minimumi që mund të bëjë shteti është të njohë dhe vlerësojë rezultatet e shkëlqyera të sportistëve tanë, duke theksuar se shpreson sinqerisht që Angjella të fitojë medalje në Lojërat Olimpike të Parisit. Abazoviq theksoi se është nder dhe kënaqësi të presim kampionen në garat botërore për juniorë, duke thënë se Qeveria e Malit të Zi mirëpret sukseset e sportistëve tanë duke e ngritur sportin mbi politikën ditore. Ministri i Sportit dhe Rinisë, Vasilije Llallosheviq, ka treguar se Angjella ka faktorin X që do ta çojë në lartësi të paimagjinuara sportive, duke theksuar rëndësinë e pritjes së sotme nga kryeministri, e cila do të tërheqë vëmendjen e publikut për këtë art luftarak. Llallosheviq theksoi se në ditët në vijim do të bisedojë me përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Malit të Zi për marrjen e statusit të një sportisteje premtuese Angjella Berishaj, e cila do t’i mundësojë asaj të jetë mbajtëse e bursës vjetore, si një arritje e rëndësishme në përgatitjet për Lojërat Olimpike. Kryetari i Shoqatës së Taekwondo-së Predrag Drecun tha se Angjella arriti sukses të jashtëzakonshëm në Kampionatin Botëror të mbajtur së fundmi në Sofje, i cili përfshin vite të tëra punën dhe mundin e saj, por edhe sakrificën e familjes dhe ekipit të saj profesional të udhëhequr nga trajneri Nikolla Gegaj. Drecun shfrytëzoi rastin të falenderoje kryeministrin për mbështetjen e sinqertë për këtë sport luftarak, me shpresën që në periudhën e ardhshme me sukseset e arritura të bëhet shumë më e dallueshme dhe të sjellë shumë gëzim në vendin tonë. Gjatë pritjes u diskutua për nevojën e ndryshimit të Ligjit për sportin dhe nevojën e ndryshimeve të tjera ligjore që duhet të sjellin shumë përfitime për organizatat dhe klubet sportive, por edhe problemet në funksionim, si dhe përfaqësimin e dobët mediatik të Taekwondo-së në Mal të Zi.