EURODEPUTETËT: SHPRESOJMË QË VOTIMI PËR SHKARKIMIN E MANDIQIT TË JETË I DREJTË

Foto: M.Matković

Eurodeputetët Tomas Vajc, Reinhold Lopatka, Marjan Sharec, Vlladimir Prebiliç dhe Kostas Mavrides kanë deklaruar se presin që votimi në Kuvendin e Malit të Zi për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq, të jetë i drejtë dhe që deputetët të votojnë në përputhje me ndërgjegjen e tyre.

Në një deklaratë, ata kritikuan shprehjen e ngushëllimeve nga Mandiqi për familjen e Ratko Mlladiqit, i dënuar nga Tribunali i OKB-së për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Eurodeputetët theksuan se, ndonëse nuk duan të ndërhyjnë në bindjet personale të qytetarëve, veprimi i Mandiqit nuk mund të ndahet nga funksioni i tij si kryetar i Kuvendit, pasi deklaratat e tij kanë edhe peshë institucionale.

Sipas tyre, veprime të tilla nuk janë në përputhje me vlerat evropiane dhe mund të ndikojnë negativisht në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Ata theksuan se nuk synojnë t’u diktojnë deputetëve mënyrën e votimit dhe as të ushtrojnë presion mbi ta, por dëshironin që qëndrimi i tyre të ishte i njohur.

Në fund, eurodeputetët theksuan se, pavarësisht rezultatit të votimit, do ta respektojnë vendimin e Kuvendit të Malit të Zi si organi më i lartë ligjvënës i vendit.

SHARE